Skip to content
Tafsir As-Saadi · Al-A'raaf
Sūrah 7

Al-A'raaf

This is a tafsīr in a language other than Arabic as the Quranic Universal Library (QUL, by Tarteel) has it, taken through the open copy of QUL’s data that spa5k/tafsir_api keeps. QUL’s record does not say who wrote or translated it or which printed edition it follows, and states no licence for the text, so the right to show it is not verified. Nobody has compared it with a printed book, and no scholar has reviewed it. Each passage stands beside the verses it comments on, which are the Qur’ān text of Tanzil, shown as it is there. Sabīl did not write or translate any of it.

Text fromQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITtaken 2026-10-21

Verse 52

وَلَقَدْ جِئْنَـٰهُم بِكِتَـٰبٍ فَصَّلْنَـٰهُ عَلَىٰ عِلْمٍ هُدًى وَرَحْمَةً لِّقَوْمٍ يُؤْمِنُونَ 52

Ne u sollëm atyre një libër, të cilin ua shtjelluam hollësisht me dituri... - Në këtë libër, Allahu i Lartësuar sqaroi çdo çështje për të cilën krijesat kanë nevojë të dinë. Kjo Shpallje është zbritur me diturinë absolute të Zotit. Allahu i Lartësuar është i gjithëditur për gjendjen dhe nevojat e robërve në çdo kohë, gjendje dhe vend. Ai e di mirë se çfarë është më e dobishme për ta dhe çfarë jo. Po kështu, edhe qartësimi i Shpalljes nuk është bërë nga dikush që nuk i njeh çështjet apo që mund t’i fshihet ndonjë aspekt prej gjendjes së krijesave. Një i paditur nuk do të gjykonte kurrë me drejtësi dhe urtësi. Përkundrazi, shtjellimi i kësaj Shpalljeje është bërë nga Allahu i Lartësuar, dituria dhe mëshira e të Cilit ka përfshirë gjithçka. Allahu është i Gjithëdituri dhe i Gjithëmëshirshmi, prandaj e solli Shpalljen që të jetë:...për të qenë udhërrëfyes e mëshirë për të gjithë ata që besojnë. - Nëpërmjet saj, besimtarët do të dallojnë qartë rrugën e drejtë nga humbja. Ajo bën dallimin mes të vërtetës dhe të kotës, rrugës së drejtë dhe devijimit. Prandaj besimtarët i dallojnë lehtë të vërtetën dhe të kotën. Nëpërmjet diturisë dhe punës me sinqeritet për të kënaqur Allahun e Lartësuar, ata përfitojnë mëshirën që përmban Kur'ani. Me fjalë të tjera, ata i mundësojnë vetes çdo mirësi që u sjell lumturinë në këtë botë dhe në tjetrën. Ata janë të sigurt nga humbja dhe dëshpërimi. Nga ana tjetër, të mjerët, ata që meritojnë ndëshkimin, nuk e besojnë këtë libër madhështor dhe nuk zbatojnë urdhëresat e tij. Kështu, atyre nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të shikojnë realisht zbatimin e premtimit të Kur’anit, domethënë ndëshkimin e tyre. I Lartësuari thotë: