Skip to content
Tafsir As-Saadi · Ash-Shura
Sūrah 42

Ash-Shura

This is a tafsīr in a language other than Arabic as the Quranic Universal Library (QUL, by Tarteel) has it, taken through the open copy of QUL’s data that spa5k/tafsir_api keeps. QUL’s record does not say who wrote or translated it or which printed edition it follows, and states no licence for the text, so the right to show it is not verified. Nobody has compared it with a printed book, and no scholar has reviewed it. Each passage stands beside the verses it comments on, which are the Qur’ān text of Tanzil, shown as it is there. Sabīl did not write or translate any of it.

Text fromQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITtaken 2026-10-21

Verse 22

تَرَى ٱلظَّـٰلِمِينَ مُشْفِقِينَ مِمَّا كَسَبُوا۟ وَهُوَ وَاقِعٌۢ بِهِمْ ۗ وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ فِى رَوْضَاتِ ٱلْجَنَّاتِ ۖ لَهُم مَّا يَشَآءُونَ عِندَ رَبِّهِمْ ۚ ذَٰلِكَ هُوَ ٱلْفَضْلُ ٱلْكَبِيرُ 22

Ke për t’i parë jobesimtarët të tmerruar nga veprat e veta... -Ata që i bëjnë padrejtësi vetes së tyre me kufër, idhujtari apo me gjynahe të tjera, do t’i shikosh të llahtarisur prej veprave të veta, sepse do shohin ndëshkimin duke iu afruar. Për të shuar çdo shpresë se ata mund të shpëtojnë nga ky tmerr, Allahu i Lartësuar na tregon se ndëshkimi do të godasë patjetër mbi ta, dhe ata assesi nuk mund të shpëtojnë:... ndërkohë që ndëshkimi Ynë do të bjerë mbi ta. -Pra, ndëshkimi të cilit ata i frikësohen, do t’i godasë, sepse vetë me duart e tyre e bënë ndëshkimin të pakthyeshëm për ta, pa kryer asgjë që mund ta ndalonte këtë ndëshkim, siç mund të ishte pendimi ose kërkimi i faljes. Ata i ka kapur vdekja pa u penduar për poshtërsitë e tyre, dhe dihet se, pas vdekjes, nuk bëjnë më dobi vërejtjet.Kurse ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, ... -Domethënë, ata që besojnë me zemër gjithçka që Zoti, përmes të dërguarve të Tij, ka urdhëruar të besohet. Ata besojnë Zotin, librat e Tij, profetët dhe udhëzimet e tyre. Por përveç bartjes së besimit në zemër, ata edhe e demonstrojnë këtë besim në jetën e tyre. Kështu, ata e shfaqin besimin te ndjenjat e tyre (siç është droja ndaj Zotit, shpresa tek Ai, dashuria për Të, dashuria dhe respekti për Profetin dhe besimtarët, mbështetja e plotë te Zoti etj.) dhe te veprat e tyre (si namazi, xhihadi, haxhi etj.), qofshin ato detyrime apo vepra vullnetare. Pra, ata që kanë besimin e drejtë, të bazuar në Shpalljen e Zotit, dhe që punojnë me sinqeritet për të kënaqur Zotin, kanë një premtim të ndryshëm nga ai i zullumqarëve:...do të jenë në kopshtet e Xheneteve.. -Ata do të jenë jo në kopshte dosido, por në kopshtet e Xhenetit. Mos pyet për bukurinë e këtyre kopshteve të lulëzuara, për lumenjtë që gurgullojnë me zhurmë të këndshme dhe qetësuese, për bimësinë e dendur dhe panoramat e mrekullueshme, për zogjtë cicërues dhe zërat e bukur që këndojnë, për takimet me të dashurit dhe për intimitetet e papërshkrueshme! Prej çdo lloj kënaqësie, atje do të provojnë më të lartën dhe më të plotën që mund të ekzistojë apo të përfytyrohet. Çdo ditë që kalon ia shton bukurinë dhe kënaqësinë asaj jete. Çdo ditë që kalon ua shton dashurinë dhe shijimin banorëve të saj për çdo kënaqësi të re që provojnë në të. Megjithatë, çfarëdo që të flasim, nuk mund të bëjmë një përshkrim të plotë. Mjafton të themi atë që thotë Allahu i madhëruar:Ata do të kenë gjithçka që dëshirojnë tek Zoti i tyre ... -Në Xhenet, ata do të kenë gjithçka që ua dëshiron shpirti i tyre dhe që kënaq vështrimet e tyre. Ata do të kenë atje çfarë syri nuk e ka parë, çfarë veshi nuk e ka dëgjuar dhe çfarë mendja nuk e ka menduar.... Kjo është mirësia e madhe. -E ku ka mirësi më të madhe sesa të kesh arritur të kënaqësh të Gjithëmëshirshmin dhe të kesh fituar të drejtën për të jetuar pranë Tij, në përjetësi?!