Skip to content
Tafsir As-Saadi · An-Nisaa
Sūrah 4

An-Nisaa

This is a tafsīr in a language other than Arabic as the Quranic Universal Library (QUL, by Tarteel) has it, taken through the open copy of QUL’s data that spa5k/tafsir_api keeps. QUL’s record does not say who wrote or translated it or which printed edition it follows, and states no licence for the text, so the right to show it is not verified. Nobody has compared it with a printed book, and no scholar has reviewed it. Each passage stands beside the verses it comments on, which are the Qur’ān text of Tanzil, shown as it is there. Sabīl did not write or translate any of it.

Text fromQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITtaken 2026-10-21

Verse 122

وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ سَنُدْخِلُهُمْ جَنَّـٰتٍ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَـٰرُ خَـٰلِدِينَ فِيهَآ أَبَدًا ۖ وَعْدَ ٱللَّهِ حَقًّا ۚ وَمَنْ أَصْدَقُ مِنَ ٱللَّهِ قِيلًا 122

Ndërsa ata të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira -Allahu i Lartësuar i përshkruan me dy cilësi ata që meritojnë shpërblimin e Tij të madh. Së pari, ata besojnë. Por çfarë besojnë? Ata besojnë Allahun, melekët, librat e Tij, profetët dhe Ditën e Gjykimit. Ata besojnë edhe kaderin, domethënë në caktimin e të mirës dhe të keqes nga Allahu i Lartësuar. Ky besim i tyre është ashtu siç i ka urdhëruar Allahu i Lartësuar që të besojnë. Besimi i tyre ndërtohet mbi dijen e saktë dhe të sigurt të sjellë nga Zoti dhe Profeti i Tij, mbi pohimin dhe pranimin pa mëdyshje të gjithçkaje që duhet pranuar dhe pohuar. Së dyti, ata bëjnë vepra të mira. Këtu përfshihen të gjitha llojet e punëve të mira të cilat Allahu i Lartësuar dhe Profeti (a.s)i kanë urdhëruar dhe na kanë nxitur që t’i kryejmë, qofshin këto punë zemre, që nuk duken me sy, qofshin fjalë apo punë të dukshme. Çdo njeri do të meritojë shpërblimin e Allahut në varësi të shkallës së besimit dhe të veprave të mira të ndërtuara mbi të. Asgjë nga këto nuk ndodh jashtë urtësisë dhe mëshirës së Allahut të Lartësuar. Premtimi i Allahut të Madhërishëm është i pakthyeshëm. Këto ishin dy kushtet për të përfituar nga premtimi i mrekullueshëm i Allahut të Lartësuar, i Cili thotë:Ne do t’i vendosim në kopshte, ku rrjedhin lumenj e ku do jenë përgjithmonë. -Në këto kopshte të Xhenetit ka mirësi, të cilat syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe mendja e njeriut nuk i ka përfytyruar. Besimtari do të shijojë në Xhenet lloje të shumta ushqimesh dhe pijesh, do të kënaqet me pamje të mrekullueshme dhe me gra të bukura. Ata do të shëtisin plot gëzim në kështjella të larta dhe nëpër dhomat e zbukuruara, do të pushojnë të kënaqur poshtë pemëve të dendura, plot fruta të njohura e të panjohura, duke dëgjuar me ëndje zërat e bukur që këndojnë. Ata do të vizitojnë njëri-tjetrin mes mirësive të papërshkrueshme të Xhenetit dhe do të kujtojnë ditët e tyre në këtë dynja. Por mbi të gjitha këto kënaqësi e shumë e shumë të tjera, që njeriu nuk mundet t’i përshkruajë me fjalë, qëndron kënaqësia e Allahut të Lartësuar me ta dhe lumturia që të jep qëndrimi pranë Allahut të Lartësuar, shikimi i Tij dhe dëgjimi i fjalës së Tij të dashur. Kjo lloj kënaqësie i bën ata që të harrojnë çdo lloj mirësie tjetër që gëzojnë në Xhenet. Sikur Allahu i Lartësuar të mos i bënte ata të aftë për të përballuar këtë mirësi, ata do të vdisnin nga gëzimi. Subhanallah! Çfarë mrekullish! Sa të larta janë gradat dhe sa të shumta janë begatitë që dhuron Zoti Bujar. Këto mirësi bëhen akoma më të mëdha kur kujton se ato do të jenë të përjetshme, prandaj i Lartësuari thotë: “...ku do jenë përgjithmonë.”Ky është premtimi i Allahut. E kush mund të jetë më i vërtetë në fjalë sesa Allahu? -Të vërtetën ka thënë Allahu i Madhërishëm. Fjalët e krijesave nuk mund t’u afrohen fjalëve të Allahut të Lartësuar, për sa i përket vërtetësisë së tyre. Fjalët e Tij janë të vërteta në mesazhin që përçojnë, në mësimet që sjellin dhe në atë çka nënkuptojnë. Të tilla janë edhe fjalët e Profetit a.s, sepse ai fliste dhe urdhëronte veçse me shpallje nga Alllahu i Lartësuar.