Skip to content
Tafsir As-Saadi · Al-Baqara
Sūrah 2

Al-Baqara

This is a tafsīr in a language other than Arabic as the Quranic Universal Library (QUL, by Tarteel) has it, taken through the open copy of QUL’s data that spa5k/tafsir_api keeps. QUL’s record does not say who wrote or translated it or which printed edition it follows, and states no licence for the text, so the right to show it is not verified. Nobody has compared it with a printed book, and no scholar has reviewed it. Each passage stands beside the verses it comments on, which are the Qur’ān text of Tanzil, shown as it is there. Sabīl did not write or translate any of it.

Text fromQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITtaken 2026-10-21

Verse 183

يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ كُتِبَ عَلَيْكُمُ ٱلصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ 183

O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë detyrë për ju, sikurse ka qenë edhe për ata që ishin para jush -Në këto ajete, Allahu i Lartësuar u tregon besimtarëve një mirësi të madhe për ta, që është agjërimi. Agjërimi ka qenë i detyrueshëm edhe për popujt e mëparshëm, pasi ai është i dobishëm për të gjitha kohërat. Ky ajet shërben si nxitje e këtij umeti, për të garuar me popujt e mëparshëm në kryerjen e veprave të mira që i kushtohen Allahut. Kështu, ata nxiten për të arritur cilësitë më të mira, që do të thotë se agjërimi nuk është thjesht një vepër e vështirë për t’u kryer. Pastaj, Allahu i Lartësuar na tregon qëllimin e lartë të këtij adhurimi, duke thënë:…me qëllim që të bëheni të devotshëm. -Agjërimi është një nga mënyrat më efikase për t’u pajisur me devotshmëri. Ai është zbatim i urdhrit të Allahut dhe largim nga ndalesat e Tij, ashtu si vetë devotshmëria, që është ruajtja nga ndëshkimi dhe zemërimi i Zotit duke kryer urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Agjërimi e ndalon agjëruesin nga disa gjëra, si nga: të ngrënit, të pirit, marrëdhëniet seksulale etj. Besimtari iu largohet këtyre veprimeve, ndonëse nefsi ia kërkon me forcë, me qëllim që të afrohet tek Allahu i Lartësuar, duke shpresuar shpërblimin e Tij. Siç shihet, pra, ky adhurim ka lidhje të drejtpërdrejtë me devotshmërinë. Nëpërmjet agjërimit, robi ushtrohet që të ndiejë mbikëqyrjen e Zotit të tij. Edhe sikur t’i ketë të gjitha mundësitë për të shijuar kënaqësitë e nefsit, ai u largohet atyre, sepse nuk do që të shkelë ligjet dhe rregullat e të Dashurit të Tij, Allahut të Ditur dhe të Urtë. Agjëruesi e ndien gjatë gjithë kohës vështrimin e Allahut dhe është shumë i sigurt për të. Nga ngjashmëritë e agjërimit me devotshmërinë (takua) është edhe fakti se, agjërimi ia ngushton shejtanit rrugët e tij në trupin e njeriut. Dihet se shejtani lëviz nëpër trupin e njeriut ashtu sikurse qarkullon edhe gjaku i tij, por gjatë agjërimit, damarët ngushtohen e, rrjedhimisht, ngushtohen edhe rrugët e shejtanit për të mashtruar dhe nxitur njeriun në gjynahe. E dihet, gjithashtu, se njeriu i pakëson shumë gjynahet gjatë agjërimit. Agjërimi të çon drejt devotshmërisë, sepse, në të shumtën e rasteve, njeriu që agjëron i shton veprat e mira në bindje ndaj Zotit, dhe nuk ka dyshim se veprat e mira të bëjnë të devotshëm. Një njeri i pasur, kur agjëron, e ndien vështirësinë dhe vuajtjen e të varfërit, që nuk ka mundësi të ushqejë veten dhe familjen e tij. Kështu, ai bëhet më i dhembshur ndaj të tjerëve, prandaj përpiqet t’i ndihmojë ata me pasuri, dhe dihet se shpenzimi në rrugën e Zotit është cilësi e devotshmërisë.