Skip to content
Tafsir As-Saadi · An-Nahl
Sūrah 16

An-Nahl

This is a tafsīr in a language other than Arabic as the Quranic Universal Library (QUL, by Tarteel) has it, taken through the open copy of QUL’s data that spa5k/tafsir_api keeps. QUL’s record does not say who wrote or translated it or which printed edition it follows, and states no licence for the text, so the right to show it is not verified. Nobody has compared it with a printed book, and no scholar has reviewed it. Each passage stands beside the verses it comments on, which are the Qur’ān text of Tanzil, shown as it is there. Sabīl did not write or translate any of it.

Text fromQuranic Universal Libraryspa5k/tafsir_apiMITtaken 2026-10-21

Verse 102

قُلْ نَزَّلَهُۥ رُوحُ ٱلْقُدُسِ مِن رَّبِّكَ بِٱلْحَقِّ لِيُثَبِّتَ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَهُدًى وَبُشْرَىٰ لِلْمُسْلِمِينَ 102

Thuaj: “Atë e solli Ruhul Kudus (Shpirti i Shenjtë) plot vërtetësi nga Zoti yt...” -Ai ishte Xhibrili, meleku i dërguar nga Zoti. Ai ishte një i dërguar i pastër nga çdo mangësi, larg tradhtisë dhe çdo prirjeje të keqe. Allahu i Madhëruar na tregon për Kur'anin se: “Ai zbriti plot vërtetësi nga Zoti yt.” Kur'ani përmban të vërtetën e sigurt. Të vërteta janë rrëfimet dhe kumtet e tij. Të vërtetën mbështesin urdhëresat e ndalesat e tij. Askush nuk ka mundësi të cenojë vërtetësinë dhe saktësinë e Kur'anit. Është shumë e thjeshtë për t'u kuptuar: nëse përmbajtja e Kur'anit është e vërtetë, atëherë çdo gjë që e kundërshton atë është e kotë dhe e papranueshme. Përmes këtij libri, që përmban të vërtetën e sigurt dhe që u zbrit me besnikëri nga Xhibrili (a.s), Allahu i Madhëruar forcon besimtarët:“... për t’i përforcuar ata që besuan...” -Kështu i forconte Allahu besimtarët gjatë kohës kur shpalleshin ajetet, kohë pas kohe. Në këtë mënyrë, e vërteta hynte në zemrat e tyre pak e nga pak, derisa imani i tyre u forcua dhe u bë i patundur si malet. Besimtarët e dinin se Kur'ani ishte e vërteta nga Zoti i tyre, prandaj sa herë që lexonin ndonjë ligj, që më pas Zoti e abrogonte, ata e dinin mirë se Zoti do ta zëvendësonte me një ligj tjetër ose të njëjtë me të, ose më të mirë se ai që abrogohej. Ata arrinin ta kuptonin se ligji i ri ishte më afër urtësisë së Zotit dhe logjikës së saktë dhe më i përshtatshmi për kohën.“... dhe për të qenë udhërrëfyes e përgëzim për myslimanët.” - Kur'ani i udhëzon muslimanët në realitetin e çdo çështjeje dhe ua qartëson atyre të vërtetën nga e kota, udhëzimin e drejtë nga devijimi. Kur'ani i përgëzon besimtarët se do të kenë shpërblim të mirë në Xhenetet e mirësisë, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Sjellja e këtij libri pak e nga pak shërbeu si udhëzim e përgëzim më i fortë dhe më i plotë për besimtarët, sesa po të zbriste njëherësh, pasi mendjet e tyre mund të çoroditeshin. Allahu i Madhëruar e shpallte pjesë-pjesë Kur'anin, që të ishte udhëzues dhe përgëzues për besimtarët në kohën dhe rrethanat kur shpallej. Kështu ata e kuptonin mirë dhe arsyetonin drejt rreth tij dhe kuptimeve që ishin dashur përmes këtyre ajeteve dhe zemrat e tyre mbusheshin me iman. Me vijimin e ajeteve të tjera të ngjashme, me madhështinë dhe udhëzimin që ofronin, zemrat dhe imani i tyre forcoheshin edhe më shumë. Kjo është arsyeja që sahabët, përmes studimit të vazhdueshëm dhe jetës sipas Kur'anit, arritën gradat më të larta. Karakteri dhe morali i tyre u ndryshuan rrënjësisht dalëngadalë. Përmes Kur'anit, që pushtoi shpirtin dhe zemrën e tyre, ata arritën nivelet më të larta të moralit, duke u bërë të paarritshëm për të gjithë brezat që do të vinin. Edhe brezat pasues kanë nevojë që zemrat e tyre të mbushen me njohuritë e Kur'anit dhe moralin që ai urdhëron. Mendjet e tyre kanë nevojë të domosdoshme që të ndriçohen me dritën e tij, për të gjetur rrugën në terrin e humbjes dhe të paditurisë. Vetëm kështu do të rregullohen çështjet e tyre të fesë, por edhe të jetës.